“Do t’ju shkatërrojmë derën”/ Banorët e Durrësit shpërthejnë në protestë para bashkisë

Data

Banorë të Durrësit kanë protestuar sërish këtë të martë përpara Bashkisë, kundër shembjes së banesave të tyre në kuadër të projektit për rijetëzimin e qendrës historike të qytetit.

Protesta u shoqërua me tensione, ku banorët u përplasën verbalisht me punonjës të bashkisë, ndërsa policia ndërhyri duke shoqëruar disa prej protestuesve. Banorët shprehën indinjatë të fortë, duke e cilësuar vendimin për shembje si të padrejtë dhe të njëanshëm.

Ata kërkuan takim urgjent me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, duke paralajmëruar se nëse nuk do të ketë një përgjigje të menjëhershme, do të futen me forcë në ambientet e bashkisë.

Gjatë protestës, qytetarët përdorën tone të ashpra dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve vendorë.

“Të firmosësh për shembjen e shtëpive tona, a je durrsake? Të fëlliqtë Zoti, haram e paçi. Bashkia është mbushur me spiuna, do t’ju shkatërrojmë derën”, u shpreh një nga protestueset mes thirrjeve dhe zemërimit të banorëve.

Banorët pretendojnë se nuk janë konsultuar dhe se nuk u është ofruar një zgjidhje e drejtë për strehimin apo kompensimin e tyre. Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në anulimin e vendimit për shembje.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi zyrtar i Bashkisë së Durrësit për kërkesat e banorëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related