Muaji dhjetor ka nisur me një tjetër rënie të kursit të këmbimit Euro–Lek, duke shënuar të mërkurën një minimum të ri historik prej 96.59 lekësh. Ky nivel e tejkalon lehtësisht rekord-minimumin e mëparshëm prej 96.6 lekësh, i regjistruar në tetor, duke konfirmuar vijimin e tendencës së fortë të mbiçmimit të lekut gjatë vitit 2025.
Tregu valutor prej kohësh ka reflektuar presione të vazhdueshme zhvlerësuese ndaj euros. Sipas operatorëve, oferta e bollshme e monedhës europiane ka ndikuar në zbutjen e kursit. Kjo u theksua veçanërisht pas tremujorit të tretë, ku flukset valutore u rritën ndjeshëm si pasojë e turizmit dhe prurjeve të tjera sezonale.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se volumi i tregtimeve valutore u rrit me 24.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke tejkaluar edhe rritjen e ndjeshme prej 21% të tremujorit të tretë të vitit 2024. Për operatorët e tregut, kjo rritje nënkupton se në ekonomi ka hyrë më shumë valutë, përfshirë — sipas perceptimeve të tyre — edhe prurje informale.
Ndërsa leku vijon të forcohet, mbiçmimi i tij vjetor është ngadalësuar. Aktualisht, euro këmbehet me 1.8% më pak se një vit më parë, një ritëm dukshëm më i ulët krahasuar me dy vitet e kaluara.
Një faktor i rëndësishëm në frenimin e rënies së mëtejshme të euros janë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në treg. Vetëm në 9-mujorin e vitit 2025, banka ka blerë rreth 800 milionë euro, duke u afruar me shpejtësi drejt rekordit historik prej 933 milionë eurosh të vitit 2024. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve, sipas bankës qendrore, lidhet me mbajtjen nën kontroll të objektivit të inflacionit, i cili prej dy vitesh qëndron poshtë shënjestrës 3%.
Megjithatë, FMN ka ngritur shqetësime mbi këtë politikë. Në analizën e fundit, Fondi rekomandon reduktimin e ndërhyrjeve në tregun valutor, duke theksuar se kursi i këmbimit duhet të ketë më shumë fleksibilitet për të amortizuar goditjet ekonomike. FMN thekson se akumulimi i rezervave valutore duhet vlerësuar me kujdes, për shkak të kostove të mundshme dhe rreziqeve nga normat e interesit.
Së bashku me faktorët monetarë, forcimi i lekut është ndikuar edhe nga politika fiskale. Në fund të 9-mujorit të vitit 2025, qeveria regjistroi një suficit buxhetor prej 49.2 miliardë lekësh, duke reduktuar ofertën e monedhës vendase në treg dhe duke përforcuar më tej trendin mbiçmues të lekut.
