Pronarë biznesesh në Kosovë kanë alarmuar se çmimet e produkteve mund të shënojnë ngritje deri në 30% më shumë si shkak i shtrenjtimit të energjisë elektrike. Sipas tyre, shtrenjtimi për 16.1% ndikon drejtë për së drejti në prodhime të tyre. Mielli, buka e mishi veç se kanë filluar të lëvizin në çmime.
Vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind pritet të nxisë valë të re të rritjeve të çmimit të produkteve dhe shërbimeve.
Produkti i parë që është përfolur për rritje të çmimit është buka, duke përmendur edhe shifra prej 20 centë më shumë.
Pronari i një fabrike të miellit në Kosovë, Rexhep Rama thotë se pas shtrenjtimit të energjisë elektrike për 16.1% në mënyrë automatike do të shtrenjtohet edhe çmimi i miellit dhe rrjedhimisht i bukës.
Rama, ka deklaruar se çmimi i një buke mund të shkojë deri në 80 cent në të kundërtën fabrikat e miellit rrezikojnë falimentimin.
