Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se është i gatshëm për një përballje të drejtpërdrejtë politike me kryeministrin Edi Rama, duke bërë thirrje për bashkim të të gjitha forcave opozitare në një protestë të përhershme në shesh.
I ftuar në një studio televizive, Lapaj tha se fton të gjitha partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike, që të zbresin në shesh kundër qeverisë. Sipas tij, momenti kur të gjithë opozitarët mblidhen bashkë shënon nisjen e fundit për qeverinë Rama.
“Ditën që të gjithë zbresin në shesh, kronometri fillon dhe numëron mbrapsht për Edi Ramën dhe qeverinë e tij”, u shpreh Lapaj.
Ai zbuloi se ka dakordësi për bashkëpunim me Partinë Demokratike, duke theksuar se kjo e fundit do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Ermal Hasimja. Lapaj theksoi se lëvizja që ai drejton ndodhet prej më shumë se dy muajsh në protestë dhe është gati të presë çdo forcë politike që dëshiron të bashkohet.
Lapaj sqaroi se protestat që organizon nuk mbahen nën flamuj partie, por vetëm nën flamurin kombëtar. Ai theksoi se pavarësisht pozicionit aktual të Partisë Demokratike si forca e dytë politike në vend, bashkimi në shesh është i domosdoshëm përballë asaj që ai e cilësoi si sistem korruptiv.
“Protesta duhet të jetë 24 orë në 24. Sheshi është institucioni ku duhet të përballet populli me pushtetin. Aty duhet të vijë kushdo që pretendon ndryshim”, deklaroi Lapaj.
Ai shtoi se tryezat politike dhe forumet duhet të zhvillohen në shesh, jo në ambiente të mbyllura, deri në momentin kur, sipas tij, Edi Rama të pranojë një marrëveshje për tranzicion politik dhe demokratizim të vendit.
Lapaj theksoi se kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje është një Kod Zgjedhor që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij, largimi i kryeministrit është i panegociueshëm.
“Nëse nuk ikën, do përplasemi me të gjitha mënyrat. Nuk mund të na vjedhë, të na shtypë dhe të na tallë pafundësisht”, përfundoi Lapaj.
