Në orën 17:00 pritet të nisë para Kryeministrisë protesta e radhës e thirrur nga opozita. Në pankartën kryesore të shfaqur për protestën e sotme lexohet fjala “Poshtë”, ndërsa kryeministri paraqitet i përmbysur, slogani i lajmëruar më herët nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e tubimit. Mbi 1.000 efektivë do të jenë në terren dhe në gatishmëri, përfshirë forcat e rendit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA dhe agjentë civilë. Efektivët janë pajisur edhe me maska kundër gazit lotsjellës.
Që nga ora 00:00 është ndaluar parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nga ora 15:00 e deri në përfundim të protestës do të bllokohet qarkullimi në disa akse kryesore përreth Kryeministrisë.
