Drejtori i Policisë vendore në Vlorë, Ervin Muça dhe detaje në lidhje me operacionin ku u zbulua baza e armatimit në Babicë të Vlorës.
Sipas drejtorit të policisë në pranga është vënë shtetasi Luçiano Deraj alias Albano, i cili dyshohet se është i përfshirë në grupe kriminale.
Muça u shpreh se për këtë i referohen dy ngjarjeve kriminale për të cilat do shprehen në një moment tjetër.
“Jam këtu për t’ju prezantuar rezultatet e operacionit ‘Nokaut 5’, i cili është zhvilluar në zbatim të masave të zbatuar në kuadër të planit operacional Sundimi i Ligjit.
Në kuadër të këtij operacioni në rrethinat e Vlorës dhe në qytet u bë e mundur kapja e shtetasit Luçiano Deraj alias Albano dhe sekuestrimi i një sasie armatimi.
Një armë zjarri snajper me silenciator, pjesë përbërëse armë luftarake për formimin e dy armëve të tjera zjarri. Një pistoletë zastava, një pistoletë me ngjyrë bronzi dhe një sasi prej 40 fishekë. Një armë e kalibrit 12 mm prodhim sovjetik, minë e përshtatur me celular, 7 kallëpe eksplozive 200 dhe 400 gr, 4 silenciator për armë të gjata, dylbi optike ushtarake, 4 dylbi për shënjestër në largësi, sasi e madhe fishekësh, 45 krehër automatiku. Mijëra fishekë luftarakë, radio marrëse, pajisje antene, dedektor për gjetjen e përgjuesve, disa njësi kompjuteri, numra targa automjetesh, masa silikoni me imazh njeriu”, tha kreu i policisë Vlorë.
