Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 10 persona të dyshuar si pjesë e grupit, ndërsa është ekzekutuar masa ndaj njërit prej tyre. Autoritetet shqiptare vijojnë bashkëpunimin me agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë.
SPAK deklaron se grupi ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në vende të ndryshme të Amerikës Latine dhe Europës, ndërsa nga hetimet është krijuar dyshimi se ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine drejt tregut europian. Në kuadër të hetimeve janë dokumentuar pesë episode të trafikimit ose tentativës së trafikimit të drogës, ku janë sekuestruar gjithsej rreth 8.96 ton kokainë.
Sipas organit të akuzës, të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë transferuar në Shqipëri dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani tregtare dhe aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, hotelerinë dhe shërbimet.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme është urdhëruar sekuestrimi preventiv i 491 pasurive, përfshirë kompani, aksione tregtare, hotele, vila, apartamente, toka, automjete dhe 209 llogari bankare. Vlera paraprake e pasurive të sekuestruara vlerësohet rreth 150 milionë euro.
Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihen prona dhe investime në Tiranë, Durrës, Hamallaj, Himarë, Sarandë, Elbasan, Lezhë dhe zona të tjera të vendit.
SPAK ka theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se vlera e saktë e pasurive do të përcaktohet gjatë procesit hetimor. Institucioni ka nënvizuar gjithashtu se çdo person i përfshirë në procedim prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Eurojust, Europol dhe autoritete ligjzbatuese të disa vendeve partnere, përfshirë Holandën, Francën, Kolumbinë dhe Ekuadorin.
