PD thërret Këshillin e Mandateve për imunitetin e Ballukut, opozita denoncon bllokim nga Kryetari i Kuvendit

Data

Deputetët e Partisë Demokratike kanë denoncuar bllokimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila ishte thirrur nga opozita për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas PD-së, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka urdhëruar mbylljen e sallës së mbledhjes, duke pamundësuar zhvillimin e saj, pavarësisht se pesë anëtarët e opozitës ishin të pranishëm në ambientet e Kuvendit. Ata theksojnë se kjo përbën gjysmën e anëtarëve të Këshillit dhe, sipas ligjit, është e mjaftueshme për thirrjen dhe vlefshmërinë e mbledhjes.

Deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se veprimi i Kryetarit të Kuvendit përbën pengim të drejtësisë dhe shkelje të rëndë kushtetuese. “Me praninë e pesë anëtarëve, mbledhja është e ligjshme. Refuzimi për të hapur sallën dhe për të kryer veprimet e detyrueshme ligjore është një bllokim i hapur i procesit për heqjen e imunitetit dhe një pengesë serioze për hetimet e SPAK,” u shpreh ai.

Sipas Bylykbashit, urdhri për mbylljen e sallës është dhënë drejtpërdrejt nga Kryetari i Kuvendit. Deputetët e opozitës deklaruan se po qëndrojnë në pritje që salla të vihet në dispozicion, ndërkohë që mediat nuk janë lejuar të futen as në ambientet e grupit parlamentar të PD-së.

Opozita e cilëson këtë situatë si një akt të paprecedentë që synon të mbrojë zyrtarë të lartë të qeverisë nga drejtësia, duke theksuar se procesi për heqjen e imunitetit të Ballukut është një detyrim kushtetues dhe nuk mund të bllokohet me vendime administrative.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related