Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi foltoren e radhës me demokratët në degën e PD-së në njësinë nr. 4 në Tiranë, ku ngriti alarmin për gjendjen e vendit dhe largimin masiv të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet nën një “diktaturë të bandave”, të cilën e cilësoi si formën më të rrezikshme të autoritarizmit. Sipas tij, kjo diktaturë e pranon formalisht pluralizmin, por e shtyp atë në praktikë, duke shkatërruar ligjin, rregullat dhe standardet demokratike.
“Ka diktatura që mbushin burgjet, por më e keqja është diktatura e bandave. Ajo nuk ekzekuton njerëz, por ekzekuton shpresën,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se pasoja më e rëndë e kësaj situate është emigrimi masiv, veçanërisht i të rinjve. Sipas shifrave që ai përmendi, nga viti 2014 deri në 2023 rreth 1.1 milion shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të zonës Schengen, prej të cilëve rreth 700 mijë janë të rinj.
“Të rinjtë rriten në Shqipëri, por ëndrrën e tyre nuk e ndërtojnë këtu. Vendi po zbrazet dhe popullsia po pakësohet në mënyrë dramatike,” tha ai.
Berisha paralajmëroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, duke theksuar se sot lindin po aq fëmijë sa lindnin rreth një shekull më parë. Sipas tij, kjo e vendos kombin në rrezik serioz për të ardhmen.
Në përfundim, ai u shpreh se opozita ndodhet përballë provës më të madhe të saj: shpëtimit të Shqipërisë nga kjo situatë që, sipas Berishës, po e zbraz vendin dhe po i heq shpresën brezave të rinj.
