Shqipëria e nisi mbarë edicionin në Ligën B të Kombeve, pasi mundi në transfertë Ukrainën 2-1. Por kjo fitore regjistroi njëherësh disa rekorde e më së pari i dha të drejtë Silvinjos, i cili ashtu siç kishte parashikuar, bëri ndryshime që dolën për mirë. Por edhe personalisht, ai si trajner thyen një rekord, pasi kap statistika që nuk i kishin teknikët e mëparshëm në krye të kuqezinjve. Siç dihet, trajneri Silvinjo ka pak më shumë se një vit e gjysmë në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Por në këtë kohë relativisht të shkurtër, ai ka vendosur emrin e tij mes trajnerëve më të suksesshëm në historinë e kuqezinjve. Në fakt, të dhënat statistikore thonë se ai është aktualisht më i suksesshmi i Kombëtares shqiptare. Fitorja ndaj Ukrainës përforcon edhe më shumë statistikat e trajnerit, i cili ka regjistruar 8 fitore, 4 barazime e 5 humbje në stolin e Shqipërisë në 17 ndeshje. Kësisoj, ai është unik pasi rezulton se ka një përqindje fitoresh me Shqipërinë prej 47%, një vlerë relativisht e lartë duke llogaritur se askush me më shumë se 5 ndeshje të drejtuara në stolin e kuqezinjve, nuk ka një mesatare që i afrohet. De Biazi mban vendin e dytë me 38.89% të ndeshjeve me fitore dhe Zhega të tretin me 38.46%. Këto shifra të Silvinjos bëhen edhe më shumë domethënëse, duke llogaritur se 5 nga fitoret janë në ndeshje zyrtare. Arritja e numrit 8 të fitoreve në stolin kuqezi, e ka bashkuar Silvinjon me të ndjerin Josip Kuzhe, i cili kishte arritur po këtë numër në pankinën e Shqipërisë gjatë drejtimit të tij në 24 ndeshje të zhvilluara. Tani përpara Silvinjo ka vetëm 3 trajnerë, me objektivin e radhës që është shifra e 10 sukseseve të Brigel. Pak më të shkëputur janë Reja me 14 fitore dhe De Biazi me 21 të tilla
Qëndrimi pas ndeshjes me Ukrainën
Trajneri Silvinjo e ka përgëzuar grupin për paraqitjen që bëri në duelin me Ukrainën. Ai kujtoi se në fushë lojtarët kishin zbatuar sai duhet detyrat që ai u kishte ngarkuar dhe ishte i lumtur për rezultatin. Megjithatë, Silvinjo pranoi se është vetëm fillimi dhe se në këtë grup të ekuilibruar gjithçka do të ndodhë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. “Kam parë një ndeshje shumë të vështirë, ata janë të fortë, e kam thënë më parë, teknikisht të fortë, një nivel i lartë. Unë u thashë lojtarëve të mi që do të shkojmë të vuajmë dhe kjo është ndeshja, por ata bënë mirë, edhe rinisjet, edhe pozicionet e Bajramit pak më në qendër, atë që i kemi thënë gjatë javës e bënë në fushë. Kemi bërë shumë mirë dhe jam i kënaqur nga të gjithë. Kjo është një skuadër pak më e pjekur, ata kanë mësuar shumë në Europian, por të mos harrojmë që është një ekip në rritje, nuk është gati, po përmirësohet shumë. Kemi shumë të rinj, një përzierje me lojtarë me një të kaluar të rëndësishme. Sot nuk ishte Gjimshiti, por Hysaj bëri mirë, me zemër, ka bërë 10 vite në këtë ekip, është ai me më shumë ndeshje. Kjo është një skuadër që po rritet. Përfitoj nga rasti të them se është një grup shumë i vështirë, do të ndodhin nga të gjitha gjërat, është shumë i ekuilibruar. Do të jetë shumë e vështirë, më bëhet qejfi që jam këtu si trajner, por e di që duhet të rritemi dhe përmirësohemi shumë.
