Skandali i AKSHI-t, Berisha: Dy biznesmenë u morën peng që tenderët t’i merrte baxhanaku i Ramës

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi foltoren e radhës me demokratët e njësisë nr. 4 në Tiranë, ku hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke u ndalur veçanërisht te ajo që e cilësoi si “skandali i AKSHI-t”.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se dy biznesmenë janë marrë peng, vetëm sepse guxuan të konkurronin në tenderë që, sipas tij, ishin paracaktuar t’i fitonte baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Ai e cilësoi këtë si një akt të rëndë kriminal dhe dëshmi të funksionimit të një regjimi që përdor institucionet shtetërore për interesa familjare dhe klienteliste.

“Dy pengmarrje, dy biznesmenë janë marrë peng vetëm sepse guxonin të paraqisnin tenderë që duhej t’i fitonte baxhanaku. Ky është zinxhiri i pafund i krimeve që ka kryer ky regjim,” u shpreh Berisha.

Më tej, ai theksoi se Partia Demokratike dhe opozita ndodhen në një moment kritik për ekzistencën e tyre politike dhe për fatin e vendit. Sipas tij, asgjë nuk e përcakton më shumë të ardhmen e PD-së sesa përmbushja e misionit për përmbysjen e regjimit aktual.

Berisha u shpreh se diktaturat nuk rrëzohen lehtësisht dhe se, sipas tij, ato nuk përmbysen me votë. Ai deklaroi se kush beson se një regjim autoritar mund të largohet vetëm përmes zgjedhjeve, është i mashtruar.

“Diktaturat autoritare përmbysen vetëm me revoltë popullore. Nuk ka zgjedhje të ndershme me diktatorët,” tha ai.

Në vijim, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka falur rreth 2 miliardë euro gjoba dhe kamata për të blerë vota, duke theksuar se një veprim i tillë është i papranueshëm për një kryeministër që respekton dinjitetin njerëzor.

Në përfundim, ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të fokusuar te misioni kryesor i opozitës: përmbysja e regjimit që, sipas tij, ka kapur shtetin dhe ka shndërruar institucionet në instrumente të korrupsionit dhe frikës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related