Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë takimit me qytetarët në njësinë 4, ku deklaroi se opozita ndodhet përballë misionit më të rëndësishëm politik: shpëtimin e Shqipërisë nga ajo që ai e cilësoi si një regjim diktatorial i bandave.
Berisha tha se Shqipëria po përjeton një formë autoritarizmi që e pranon formalisht pluralizmin, por në realitet e shtyp atë. Sipas tij, kjo është forma më e rrezikshme e diktaturës, sepse nuk vret trupin, por shpresën e qytetarëve.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për mbrojtje totale të saj, pavarësisht, sipas tij, skandaleve të rënda financiare dhe abuzimeve me fondet publike.
“Ballukun e mbron Edi Rama me të gjithë forcën e tij. Në historinë e këtij vendi nuk gjendet një e dytë që të ketë vjedhur popullin e vet sa ka vjedhur ajo,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Rama nuk mund t’ia heqë imunitetin dhe nuk mund ta shkarkojë Ballukun pa u futur vetë në telashe serioze ligjore. “Në momentin që ajo ulet në bankën e të akuzuarve, thotë: kam zbatuar çdo urdhër të tij. Dhe nuk gënjen,” deklaroi Berisha.
Berisha solli si shembull edhe Tunelin e Llogarasë, duke pretenduar se vendimet dhe ndarjet financiare janë marrë drejtpërdrejt nga Rama dhe Balluku. Sipas tij, ndërkohë që ndaheshin dhjetëra miliona euro, spitalet mbetën pa energji elektrike dhe infrastruktura u shkatërrua.
Ai ngriti gjithashtu alarmin për krizën demografike dhe varfërinë, duke deklaruar se nga viti 2018 e deri më sot Shqipëria ka më shumë vdekje sesa lindje dhe se rreth gjysma e popullsisë jeton në varfëri ose në kufijtë e saj. Sipas Berishës, shqiptarët po largohen masivisht nga vendi për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresës.
Në përfundim, Berisha akuzoi qeverinë se nga rreth 67 miliardë euro të administruara gjatë këtyre viteve, shumica dërrmuese janë vjedhur ose shpërdoruar. Ai theksoi se opozita do të vazhdojë betejën për të rrëzuar atë që e cilësoi si një regjim të korruptuar dhe të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.
