Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, deputeti Ardit Bido kërkon heqjen e licencës së kompanisë së sigurisë: Shteti nuk mund të privatizojë forcën

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, ku disa roje private ushtruan dhunë ndaj protestuesve që kundërshtonin ndërtimin e një resorti turistik në zonë.

Përmes një reagimi publik, Bido dënoi përdorimin e spray-t me piper dhe forcën fizike ndaj qytetarëve, duke e cilësuar të papranueshme sjelljen e punonjësve të sigurisë private. Ai përshëndeti arrestimin e rojës private Gerald Biba, si dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës për mënyrën e menaxhimit të situatës.

Sipas deputetit socialist, hetimet duhet të shkojnë deri në fund dhe, nëse konfirmohen shkeljet e konstatuara në pamjet e publikuara, duhet të merren masat më të rënda ligjore ndaj kompanisë së sigurisë, deri në heqjen e licencës së saj.

“Koha t’u hiqet licenca banditëve që mendojnë se janë mbi ligjin. Kur të provohet se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, duhet të merren masat më të forta që parashikon legjislacioni,” shprehet Bido.

Ai theksoi se përdorimi i forcës është atribut ekskluziv i shtetit dhe nuk mund të delegohet apo privatizohet nga kompani private.

“Në Shqipëri nuk mund të privatizohet forca. Shteti ka vetëm një autoritet,” deklaroi deputeti.

Ngjarja në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe institucionale, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për rolin e rojeve private dhe për veprimet e Policisë gjatë protestës së zhvilluar kundër projektit turistik që po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related