Përfundon numërimi i votave për Këshillin Kombëtar të PD-së, pritet shpallja e 200 anëtarëve të rinj që do të drejtojnë strukturat e partisë

Data

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të delegatëve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, pas votimit të zhvilluar në kuadër të Kuvendit Kombëtar të mbajtur një ditë më parë.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se tashmë pritet vetëm certifikimi dhe publikimi zyrtar i rezultateve përfundimtare, nga ku do të dalin 200 anëtarët e rinj të forumit më të lartë vendimmarrës të partisë mes dy kuvendeve.

Këshilli Kombëtar konsiderohet një nga organet më të rëndësishme të Partisë Demokratike, pasi do të ketë rol vendimtar në përzgjedhjen e Kryesisë së re dhe në përcaktimin e orientimit politik e organizativ të forcës më të madhe opozitare.

Përbërja e re e këtij organi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në strategjinë e Partisë Demokratike për vitet në vijim, veçanërisht në përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe sfidat e ardhshme politike.

Procesi zgjedhor u zhvillua paralelisht me punimet e Kuvendit Kombëtar, i cili miratoi gjithashtu statutin e ri të partisë. Ndryshimet statutore parashikojnë rritjen e përfaqësimit të diasporës në 15%, shtimin e kuotës së grave dhe vajzave në 40%, krijimin e një komisioni të posaçëm për seleksionimin e kandidatëve, si dhe forcimin e strukturave bazë dhe mbrojtjen e të dhënave të anëtarësisë.

Partia Demokratike pritet të publikojë në orët në vijim listën e plotë të kandidatëve fitues dhe përbërjen e re të Këshillit Kombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related