Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të ndodhura në Zvërnec, ku punonjës të një kompanie private sigurie ushtruan dhunë ndaj protestuesve që kundërshtonin ndërtimin e një resorti turistik në zonë.
Përmes një reagimi publik, Braçe e cilësoi incidentin si një akt të rëndë dhe të papranueshëm, duke theksuar se dhuna ndaj një protestuesi paqësor përbën vepër penale dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga të gjithë personat e përfshirë.
Deputeti socialist vlerësoi vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, por theksoi se kjo masë nuk është e mjaftueshme.
Sipas Braçes, drejtuesi i Policisë së Vlorës nuk ka bërë thjesht një gabim informimi, por ka tentuar të fshehë një fakt penal të rëndë. Ai argumenton se protestuesi u godit dhe u tërhoq zvarrë nga persona të paautorizuar në sy të forcave të policisë, pa asnjë reagim nga ana e tyre.
“Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi,” shprehet Braçe.
Në reagimin e tij, ai kritikon edhe mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhoi protestën, duke theksuar se kishte detyrimin ligjor të garantonte zhvillimin paqësor të tubimit. Sipas tij, prania e personave të maskuar dhe pa identifikim në vendin e protestës, si dhe mosveprimi i policisë ndaj tyre, krijoi kushtet për përshkallëzimin e situatës.
Braçe ngre gjithashtu pikëpyetje mbi përgjegjësinë e kompanisë private të sigurisë dhe kërkon hetim të plotë për të gjithë personat e përfshirë në incident, jo vetëm për autorin e arrestuar.
“Dje i panë të gjithë se nuk sollën siguri, por dhunë,” thekson deputeti socialist, duke shtuar se duhet të shqyrtohet edhe mundësia e heqjes së licencës për kompaninë e sigurisë nëse provohen shkeljet e ligjit.
Ngjarja në Zvërnec ka sjellë reagime të shumta politike dhe institucionale, ndërsa hetimet për dhunën ndaj protestuesve dhe rolin e Policisë së Vlorës vijojnë.
