Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar 34 kontrolle të zhvilluara në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme të AKSHI-t, ndërsa aksioni është shtrirë edhe te persona të afërt dhe bashkëpunëtorë të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas informacioneve, verifikimet janë fokusuar te persona të konsideruar si të besuar të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ndodhet nën hetim edhe për çështje të tjera të mëdha infrastrukturore, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Në mesin e personave të kontrolluar është edhe Sindi Dushku, shefe e kabinetit të Ballukut, si dhe banesat dhe ambientet e bizneseve të disa sipërmarrësve të përfshirë në tenderë publikë. Kontrollet janë shtrirë gjithashtu në banesa dhe zyra të zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në procedurat e hetuara.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.
Në kuadër të kësaj dosjeje, në kërkim vijon të jetë edhe biznesmeni Ergys Agasi, ndërsa nën akuzë ndodhet drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, së bashku me disa zyrtarë të tjerë, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim në shkelje të procedurave ligjore.
SPAK po heton gjithashtu dyshime për veprën penale të krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe raste të rënda presioni ndaj operatorëve ekonomikë, me qëllim tërheqjen e tyre nga garat për tenderë publikë.
Hetimet vijojnë, ndërsa priten zhvillime të reja në ditët në vijim.
