Deputeti Enkelejd Alibeaj, një ndër nismëtarët e partisë së re “Djathtas 1912”, e sheh si fluks të ri politikë për shkak të mungesës së përfaqësimit të një pjese të qytetarëve shqiptarë.
I ftuar në një studio televizive, Alibeaj mohoi që partia e re të jetë patericë e Edi Ramës.
Alibeaj deklaroi se nëse dështojnë, nuk do të jenë më pjesë e skenës politike.
“Nëse je në politikë gjëja e parë që duhet të shohësh në mënyrë të ftohtë, është krijimi i një fluksi të ri politik, si shenjë e pluralizmit.
Gojët e liga thonë jo është shkëputur nga Luli dhe Berisha… ka lirinë për ta menduar gjithkush. Çfarë na ka shtyrë ne?
Jemi grupi nismëtarë, një grup kolegësh për formimin e këtij fluksi politik.
Sot kemi mungesë përfaqësimi, një grup i madh shqiptarësh nuk përfaqësohen as nga Basha dhe as nga Berisha. Motivi kryesor është ky.
Raportet që sot janë përfaqësimet e pjesëve të vjetra të pushtetit dhe një segment i opozitës që është PD, të dyja bashkë nuk arrijnë dot më shumë se 70%, por është një 30% e zgjedhësve shqiptarë që sot janë të lirë dhe nuk përfaqësohen nga askush dhe sigurisht që ky 30% duhet përfaqësuar.
Nëse zgjedhja do ishte lëre këtë 30% pa përfaqësuar, do iknin nga Shqipëria. Ky do ishte shërbimi më i madh që i bëhej Edi Ramës, i cili do kishte shumicë në parlament.
Ka 73-74 vota dhe ka qeverisur si pakicë. Pse Djathtas? Se e djathta e vërtetë, e djathta e vlerave, do të ishte një metodë e mirë se si shqiptarët do mund të bashkohen rreth një lëvizje.
Jemi në treg, jemi në garë dhe shqiptarët do të na gjykojnë në fund. Leksioni i parë që u duhet dhënë shqiptarëve shtatë muaj para zgjedhësve, është të mos ushqehen debatet dhe replikat.
Njëri thotë patericë e Ramës, tjetri që do i përngjasojë kryetarit? Cilit është pyetja? Nuk e mohojmë pozicionin që kemi qenë diku të rreshtuar te PD.
Ama kemi bërë një gjest politikë, jemi larguar nga PD, edhe pse të ndenjurit atje mund të ishte komod.
