Shtetet anëtare të Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë rrëzuar një propozim për të ftuar Tajvanin në asamblenë e saj vjetore në Gjenevë, pas kundërshtimit të fortë nga Kina.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar të hënën, delegacioni kinez, i mbështetur nga Pakistani, doli kundër mocionit që synonte përfshirjen e Tajvanit si vëzhgues në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë.
“Kina nuk pajtohet me pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit të Kinës në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në asnjë formë”, deklaroi një delegat kinez para shteteve anëtare.
Nga ana tjetër, Palau, një prej vendeve mbështetëse të Tajvanit, argumentoi se përjashtimi i ishullit dëmton bashkëpunimin global në fushën e shëndetësisë dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të sëmundjeve.
“Qeverisja globale e shëndetësisë nuk mund të përballojë boshllëqe”, deklaroi përfaqësuesi i Palaut.
Tajvani është përjashtuar nga shumica e organizatave ndërkombëtare për shkak të kundërshtimit të Kinës, e cila e konsideron ishullin pjesë të territorit të saj.
Tajvani kishte marrë pjesë si vëzhgues në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë nga viti 2009 deri në vitin 2016, gjatë presidencës së Ma Ying-jeou, periudhë gjatë së cilës marrëdhëniet me Pekinin ishin më të afërta.
Megjithatë, Kina filloi të bllokonte pjesëmarrjen e Tajvanit në vitin 2017, pas ardhjes në pushtet të ish-presidentes Tsai Ing-wen, e cila refuzoi të pranonte që Tajvani dhe Kina janë pjesë e “një Kine të vetme”.
