Shprehja latine “Ubi societas, ubi ius”, e shqipëruar do të thotë: “Atje ku ka një komunitet, duhet të mbizotërojë e drejta (në kuptimin e drejtësisë)”.
Pra, e drejta duhet të mbizotërojë, jo vetëm në kuptimin e ngushtë dhe tekstual të një dispozite normative apo vendimi gjyqësor; por edhe në sensin e një drejtësie thelbësore, ku institucionet shtetërore dhe dispozitat (normative apo të vendimeve gjyqësore) ndërveprojnë në mënyrë funksionale dhe efektive, në emër të interesit suprem të shoqërisë.
Kjo përqasje teorike ka pak rëndësi për vende si yni, ku një vendim i Gjykatës Kushtetuese (në rastin konkret, me objekt tatimin progresiv të të vetëpunësuarve dhe entiteteve me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit) ngel pezull midis paqartësisë së organeve tatimore në lidhje me zbatimin e tij dhe indiferencës së vetë Gjykatës, në lidhje me sqarimin e efekteve të vendimit të saj.
Shprehjet “Vendimet (e Gjykatave) nuk komentohen” apo “Sovrani foli”, në rastin konkret, duket se janë sa për të kaluar radhën.
Në fakt, Sovrani foli. Foli kur votoi në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021. Foli, pasi në paketën e premtimeve, shumica qeverisëse përfshiu edhe premtimin për taksa zero për individët, entitetet tregtare dhe të vetëpunësuarit deri në fund të vitit 2029, me kusht që të ardhurat bruto të jenë më të ulëta se rreth 14 milionë lekë në vit. De iure, nuk ishin fjalë në erë. Ishte ligji në fuqi. Pra, premtimi ishte për të mos bërë ndryshime në kuadrin ekzistues ligjor deri në fund të vitit 2029.
