Gripi i stinës shfaqet më agresiv te fëmijët, mjekët paralajmërojnë për forma të rënda dhe komplikacione

Data

Gripi i stinës po prek në mënyrë më agresive fëmijët gjatë kësaj periudhe, duke u shoqëruar me temperaturë të lartë dhe të zgjatur, që në disa raste ka sjellë përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe nevojë për trajtim spitalor.

Sipas mjekëve pediatër, rastet me influencë tip A po karakterizohen nga temperaturë e lartë deri në 39–40 gradë Celsius, e cila shpesh zgjat për disa ditë dhe është rezistente ndaj mjekimit. Kjo situatë ka shqetësuar prindërit dhe ka rritur ndjeshëm paraqitjet në urgjencat pediatrike.

Në shumë raste janë vërejtur edhe shenja të tjera shoqëruese, si të vjella, diarre, mungesë ushqyerjeje për disa ditë, lodhje e theksuar, si dhe rritje e lehtë e parametrave të mëlçisë në analizat laboratorike. Disa fëmijë kanë pasur nevojë për perfuzione, ndërsa janë regjistruar edhe raste me konvulsione febrile të shkaktuara nga temperatura e lartë.

Mjekët bëjnë me dije se nuk kanë munguar as komplikacionet, kryesisht infeksione dytësore, si bronkopneumoni, pneumoni apo infeksione të bajameve, të cilat kanë kërkuar trajtim të specializuar dhe mjekim venoz në spital.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar qarkullimin e gripit të tipit A, ndërsa nënvarianti i ri i AH3N2 që ka shkaktuar shqetësim në disa vende të botës, aktualisht nuk është evidentuar. Megjithatë, krahas gripit po qarkullojnë edhe viruse të tjera respiratore, përfshirë COVID-19 dhe virusi respirator sincicial, i cili po prek më së shumti foshnjat, veçanërisht ato nën 9 muaj.

Mjekët këshillojnë prindërit të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin ekspozimin e fëmijëve në ambiente të mbipopulluara, sidomos gjatë festave, dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të temperaturës së lartë të zgjatur apo përkeqësimit të simptomave.

Sipas specialistëve, fluksi i pacientëve në spitale dhe qendra shëndetësore është në rritje, ndërsa vala e infeksioneve respiratore ende nuk ka arritur kulmin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related