Hetimet e SPAK kanë zbuluar një skemë të gjerë të fshehjes së pasurive, ku përmes dëshmive të personave kyç është arritur të dokumentohet një rrjet i ndërlikuar pronësie dhe transaksionesh të dyshuara si të paligjshme. Në total janë sekuestruar 52 pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro, që përfshijnë apartamente, vila, toka, automjete luksoze, një jaht dhe llogari bankare.
Në qendër të hetimeve është edhe ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, për të cilën prokurorët dyshojnë se ka përfituar pasuri në mënyrë indirekte përmes korrupsionit dhe i ka fshehur ato në emër të personave të tjerë. Edhe pse zyrtarisht rezulton me pak pasuri të sekuestruara, hetimet tregojnë se ajo është përfituesja reale e disa pronave të rëndësishme.
Një rol kyç në zbardhjen e skemës ka pasur dëshmia e shoferit të saj, i cili ka konfirmuar se Karçanaj banonte në apartamente që figuronin në emra të tjerë. Ai tregoi se e transportonte çdo ditë në banesën pranë stadiumit “Air Albania”, duke zbuluar kështu përdorimin faktik të një prone që në dokumente rezultonte me qira. Sipas hetimeve, kontrata e qirasë është fiktive dhe është përdorur për të fshehur pronësinë reale.
Një nga rastet më domethënëse lidhet me një apartament në rrugën “Dervish Hima”, me vlerë 370 mijë euro, i blerë nga një kompani e lidhur me persona të afërt me biznesmenin në kërkim Ergys Agasi. Kjo pronë më pas i është dhënë me qira Karçanajt, por sipas SPAK, ajo ishte përfituesja reale e saj. Edhe dëshmia e pronarit formal ka nxjerrë në pah lidhjet e ngushta me personat nën hetim dhe ndërhyrjet për të favorizuar përdorimin e pasurisë.
Një tjetër skemë është zbuluar për një apartament në rrugën e Kavajës, ku përmes një zinxhiri shitblerjesh dhe huash fiktive, prona përfundoi në emër të familjarëve të Karçanajt me një çmim më të ulët se vlera reale. Sipas hetimeve, diferenca financiare është mbuluar me para “cash” që dyshohet se vijnë nga aktivitet kriminal.
Po ashtu, një apartament duplex në Qerret rezulton të jetë përdorur nga Karçanaj, ndonëse figuron në emër të një personi tjetër që deklaroi se nuk kishte dijeni reale për pronën. Edhe në këtë rast, dëshmia e shoferit ka qenë vendimtare për të provuar përdorimin faktik të pasurisë.
Sipas prokurorisë, këto prona dyshohet se janë përfituar si shpërblim për favorizime në tendera dhe procedura prokurimi, ku përfshihen kompani të lidhura me biznesmenët në arrati Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi. Paratë dyshohet se janë dhënë në forma të ndryshme, përfshirë edhe shuma të konsiderueshme cash të fshehura në mënyra të pazakonta.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrjetin e përfitimeve dhe përgjegjësitë individuale. Ndërkohë, autoritetet theksojnë se çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
