Rama qeveris me të akuzuar: Burg dhe pushtet njëkohësisht

Data

Në Shqipëri po konsolidohet një realitet i frikshëm institucional: zyrtarë të lartë nën hetim, me masa sigurie apo në arrest shtëpie, vazhdojnë të mbajnë poste kyçe dhe të menaxhojnë para publike, tendera dhe vendimmarrje strategjike. Në qendër të këtij modeli që sfidon çdo parim të shtetit ligjor qëndron kryeministri Edi Rama, i cili ka zgjedhur hapur të mbrojë të akuzuarit dhe jo interesin publik.

Ndërsa SPAK dhe gjykatat vendosin masa sigurie për drejtues institucionesh të rëndësishme, Rama refuzon t’i shkarkojë ata, duke i mbajtur formalisht në detyrë edhe kur drejtësia i konsideron të rrezikshëm për hetimin. Kjo sjellje nuk është më rastësi, por strategji politike.

Rasti i AKSHI-t është shembulli më flagrant. Drejtoresha e këtij institucioni, nën hetim për korrupsion dhe pjesë e një dosjeje të rëndë, ndodhet në arrest shtëpie, por vazhdon të jetë zyrtarisht në krye të një institucioni që administron të dhëna sensitive shtetërore. Një absurditet që në çdo vend normal do të sillte shkarkim të menjëhershëm.

E njëjta logjikë mbrojtjeje aplikohet edhe për ministra. Pavarësisht procedurave penale, hetimeve dhe dyshimeve serioze për korrupsion, Rama nuk lëviz asnjë gur. Përkundrazi, i akuzuari vazhdon të firmosë, të emërojë dhe të marrë vendime me ndikim të drejtpërdrejtë mbi pasuritë publike.

Edhe kryebashkiakë të akuzuar për shkelje të rënda ligjore vazhdojnë të mbahen në detyrë, ndërsa dosjet e tyre janë në duart e SPAK. Mesazhi është i qartë: drejtësia mund të hetojë, por pushteti nuk preket.

Në këtë skemë, përgjegjësia politike është zhdukur. Arresti në shtëpi nuk përkthehet në dorëheqje. Hetimi penal nuk sjell shkarkim. Akuzat për korrupsion nuk prodhojnë asnjë pasojë administrative. Qeverisja vijon sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Ky është modeli Rama: një shtet ku ligji vepron ngadalë, por pushteti mbron shpejt. Një sistem ku të akuzuarit mbahen në detyrë për të kontrolluar dokumente, vendime dhe burime financiare, duke minuar çdo proces drejtësie.

Në fund, pyetja nuk është më se kush është nën hetim, por sa gjatë do të vazhdojë ky normalizim i skandalit. Sepse kur burgaxhinjtë qeverisin dhe drejtësia injorohet, problemi nuk është më individi – është vetë sistemi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related