SPAK sekuestron mbi 40 milionë euro pasuri, goditet rrjeti Agasi–Karçanaj

Data

SPAK ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro. Në qendër të hetimeve janë ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Operacioni është zhvilluar me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe përfshin sekuestrimin e dhjetëra pronave, llogarive bankare, kompanive dhe mjeteve luksoze. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një hetim të thelluar për vepra të rënda penale, përfshirë korrupsionin, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e produkteve të veprës penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Në listën e pasurive të sekuestruara për Karçanajn përfshihen disa apartamente në Tiranë dhe Kavajë, një pronë në Qerret, tokë në Sauk, automjet dhe disa llogari bankare. Për Agasin janë sekuestruar sipërfaqe të mëdha toke dhe prona me ndërtesa në zonën e Petrelës, apartamente dhe garazhe në Tiranë e Durrës, një vilë në bregdet dhe automjete luksoze, përfshirë një Land Rover Defender. Ai rezulton një nga personat me numrin më të madh të pasurive të bllokuara.

Ndërkohë, për Beqirin janë sekuestruar prona në zona elitare si Green Coast dhe Rolling Hills, një jaht luksoz “Skyfall”, kompani tregtare, njësi biznesi dhe automjete. Prokuroria ka bllokuar gjithashtu të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve të lidhura.

Hetimi ka prekur edhe persona të tjerë, përfshirë individë me lidhje familjare me zyrtarë të lartë. Në këtë kuadër janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në llogari bankare të disa subjekteve tregtare, që arrijnë në qindra milionë lekë.

Sipas SPAK, skema e dyshuar përfshin krijimin e një cikli ekonomik të bazuar në të ardhura të paligjshme, të cilat më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese për të fshehur origjinën e tyre. Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të çuar drejt konfiskimit përfundimtar të pasurive. Autoritetet theksojnë se çdo person i përfshirë në këtë çështje konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related