Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj protestuesve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec, pasi këta të fundit refuzuan ftesën e tij për dialog dhe vijuan të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama ironizoi kërkesat për largimin e tij nga pushteti, duke i cilësuar ato si pjesë të një “filmi të vjetër” politik që sipas tij përsëritet prej vitesh.
Kreu i qeverisë sqaroi se ftesa e tij për bashkëbisedim nuk ishte drejtuar ndaj organizatorëve apo figurave që ai i konsideron të motivuara politikisht, por ndaj qytetarëve të zakonshëm që mund të kenë shqetësime reale lidhur me projektin.
“Nuk kam kërkuar të bisedoj me ata që janë të kurdisur dhe me ata që janë të çartur. Kam kërkuar të bisedoj me ata që më kanë votuar dhe që kanë pyetje apo shqetësime legjitime. Kam respekt për ta dhe jam i gatshëm të flas me ta në çdo moment”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk do të tërhiqet nga detyra dhe se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve shqiptarë.
“Asgjë nuk më lëviz mua nga istikami ku më kanë vendosur shqiptarët. Kush pretendon se flet në emër të shqiptarëve duhet të kujtojë se janë shqiptarët ata që kanë vendosur me votë”, deklaroi kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec po vazhdojnë, ndërsa përplasjet mes qeverisë dhe kundërshtarëve të investimit janë ashpërsuar ditët e fundit.
