Gjatë orëve të natës është regjistruar një rritje e ndjeshme e nivelit të lumit Ishëm, i cili më herët ishte tërhequr drejt rrjedhës normale. Shtimi i papritur i prurjeve ka shkaktuar përmbytje në disa zona, duke prekur kryesisht fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Malkuç.
Si pasojë, niveli i ujit në këto zona është rritur ndjeshëm, duke arritur sërish kuota të ngjashme me ato të ditëve të kaluara. Qindra hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë të përmbytura, ndërsa situata më problematike paraqitet në dy lagjet fundore të fshatit Murqinë, të cilat janë izoluar plotësisht.
Rruga që lidh këto lagje me pjesën tjetër të fshatit është mbuluar nga uji, me nivel që në disa segmente kalon 50 centimetra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.
Megjithëse reshjet kanë pushuar, banorët shprehin shqetësim për rritjen e papritur të nivelit të lumit, duke hedhur dyshime se kjo mund të lidhet me hapjen e portave të Bovillës, çka sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e prurjeve në lumin Ishëm.
Ndërkohë, raportohet një përmirësim i lehtë i situatës në fshatin Miliskajë, ku niveli i ujit ka nisur të ulet gradualisht. Banorët e zonave të prekura mbeten në gatishmëri, ndërsa pritet ndërhyrja dhe reagimi i institucioneve përgjegjëse për monitorimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme.
