Gjykata e Tiranës ka dënuar me 2 vite burgim ish-Sekretarin e Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj. Por, gjithsesi ai do t’i shpëtojë qelisë së burgut, pasi dënimi i është konvertuar në shërbim prove. Arlind Gjokutaj është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, teksa akuzohet se bashkë me Drejtori Juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli i kanë shkaktuar buxhetit të shteti një dëm prej 1.2 milionë eurosh, duke trajtuar si ish-pronar Ilir Thanën.
Gjithçka nisi pas një kallëzimi të një banke të nivelit të dytë drejtuar Prokurorisë së Tiranës për një kredi të pashlyer, që zbuloi skandalin se si Ilir Thana u shpërblye dy herë për një pronë të blerë në vitin 1992, e cila iu kthye ish-pronarit tre vite më vonë. Më vendim gjykate, Ilir Thanës ju kthen paratë për blerjen e magazinës në vlerën e çmimit të tregut të kohës. Më konkretisht, mes shtetasit Ilir Thana dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar u lidh një kontratë blerjeje për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm.
