“Dëmi shkon deri në 100 mijë euro”/ Përmbytjet në Shkodër, banorët ngrenë alarmin: Jemi braktisur nga shteti

Data

Situata nga përmbytjet në territorin e Bashkisë Shkodër vijon të jetë alarmante, duke shkaktuar dëme të rënda ekonomike dhe sociale për qindra familje. Në fshatin Trush, qindra hektarë tokë bujqësore ndodhen prej ditësh nën ujë, ndërsa në disa banesa është futur uji, duke i bërë ato të përkohësisht të pabanueshme.

Banorët shprehen se përmbytjet nuk kanë ardhur si pasojë e reshjeve të shiut, por nga shkarkimet e hidrocentraleve, ndërkohë që mungon çdo reagim nga pushteti lokal dhe ai qendror. Ata theksojnë se ndihen tërësisht të braktisur dhe pa asnjë mbështetje institucionale.

“Tokat tona janë nën ujë prej tre ditësh. Askush nuk ka ardhur të shohë çfarë po ndodh. Jemi lënë në mëshirë të fatit”, shprehen banorët e zonës.

Një nga rastet më të rënda është ai i biznesmenit Leonat Zadrima, i cili merret me prodhimin e bimëve dekorative në zonën e Shirqit. Ai tregon se dëmi i shkaktuar nga përmbytjet arrin deri në 100 mijë euro, duke vënë në rrezik serioz vijimin e aktivitetit të tij dhe vendet e punës që ai siguron.

Zadrima i bën thirrje kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të dërgojë urgjentisht grupet e verifikimit në terren për evidentimin e dëmeve dhe të nisë procedurat për dëmshpërblim.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, transparencë mbi shkarkimet e HEC-eve dhe kompensim të plotë për dëmet e pësuara, duke theksuar se situata po përkeqësohet nga dita në ditë dhe rrezikon të shkatërrojë plotësisht ekonominë e zonës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related