“Gjithçka është jashtë funksioni!”/ Përmbytjet paralizojnë Durrësin, banorët në hall të madh: Jemi në borxhe, shteti të reagojë

Data

Situata e krijuar nga përmbytjet në Durrës mbetet alarmante, ndërsa pasojat po rëndojnë çdo ditë mbi jetën e qytetarëve. Banorët e zonave të përmbytura janë rikthyer në banesat e tyre për të parë nga afër shkatërrimin që ka lënë pas uji, duke nxjerrë jashtë orendi, pajisje elektroshtëpiake dhe sende personale, të cilat janë kthyer në mbetje të pavlera.

“Gjithçka është jashtë funksioni. Nuk ka mbetur asgjë e përdorshme”, shprehen banorët, të cilët kërkojnë ndihmë urgjente nga shteti, pasi shumica e tyre janë të zhytur në borxhe dhe nuk kanë mundësi të përballojnë humbjet.

Aktualisht, rreth 340 persona vijojnë të jenë të strehuar në Kavalishencë dhe në struktura hoteliere, ndërsa mbi 200 banorë janë rikthyer në banesat e tyre për të pastruar dhe për të vlerësuar dëmet. Pamjet nga zonat e përmbytura tregojnë shtëpi të shkatërruara dhe familje që kanë humbur gjithçka brenda pak orësh.

Gjendja është po aq dramatike edhe për tregtarët e rrobave të përdorura në Durrës. Uji ka arritur deri në 2 metra lartësi brenda tregut, duke shkatërruar mallra dhe duke dëmtuar rëndë ambientet. Tregtarët thonë se kanë pësuar humbje të mëdha financiare dhe se ndodhen në pamundësi për të rifilluar aktivitetin.

“Jemi në borxhe, nuk dimë nga t’ia nisim”, shprehen ata, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga autoritetet.

Sa i përket situatës hidrike, niveli i lumit Erzen ka nisur të bjerë, ndërsa lumi Ishëm aktualisht paraqitet në kuota normale, por dëmet e shkaktuara nga përmbytjet mbeten të rënda dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related