Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim të fortë për sigurinë në Shqipëri, duke sinjalizuar rrezik të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin.
Sipas njoftimit zyrtar, këto grupe mund të shënjestrojnë interesa amerikane në vend, si dhe anëtarë të opozitës iraniane të vendosur në Shqipëri, përfshirë përfaqësues të Mujahedin-e-Khalq (MEK) që jetojnë në Manëz.
Por rreziku nuk kufizohet vetëm te objektiva specifike. Ambasada paralajmëron se sulmet mund të ndodhin edhe në ambiente të zakonshme dhe shumë të frekuentuara nga qytetarët, si:
- zona turistike
- qendra tregtare
- hotele
- restorante dhe klube
Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë të shtuar, të monitorojnë situatën dhe të jenë të përgatitur për çdo emergjencë.
Ky paralajmërim vjen në një moment tensionesh të larta mes Shqipërisë dhe Iranit. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve shqiptare dhe vendimit të Tiranës për të strehuar mijëra anëtarë të opozitës iraniane.
Ali Khamenei ka kritikuar më herët ashpër Shqipërinë për këtë rol, duke e akuzuar për bashkëpunim me SHBA dhe kundërshtarët e regjimit iranian.
Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të ekspozuara në Europë ndaj këtij tensioni, për shkak të pranisë së Mujahedin-e-Khalq dhe pozicionimit të saj të qartë në krah të aleatëve perëndimorë.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të rrisin masat e sigurisë në zonat më të ndjeshme, për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm.
