Detaje të reja dalin në dritë lidhur me arratisjen e bujshme të të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali Infektiv i Durrësit, një ngjarje që ka tronditur sistemin e sigurisë në burgje dhe institucionet ligjzbatuese.
Gazetarja Lorida Mani, në një lidhje direkte nga Durrësi, bëri të ditur se Ndoci prej rreth dy vitesh kryente kontrolle të shpeshta mjekësore në repartin e Infektivit, për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me gurët në veshka. Sipas saj, kjo ka bërë që ai të ishte një “vizitor i njohur” për stafin mjekësor dhe të njihte mirë ambientet e spitalit.
“Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i skeduar për disa vrasje të bujshme dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Arratisja e tij cilësohet spektakolare, pasi ndodhi nga një repart spitalor ku ai shoqërohej nga efektivë të Policisë së Burgjeve,” deklaroi gazetarja Mani.
Ndoci ishte shoqëruar në spital nga dy efektivë për kryerjen e analizave dhe ekzaminimeve mjekësore. Gjatë qëndrimit në laborator, ai ka përfituar nga momenti duke goditur efektivët dhe është larguar me shpejtësi nga ambientet e spitalit. Gjatë arratisjes raportohet se ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk është sqaruar nëse ato kanë ardhur nga policia apo nga persona të tjerë të përfshirë në arratisje.
Pas largimit nga spitali, Ndoci dyshohet se është drejtuar drejt një parkimi pranë godinës, ku e priste një automjet luksoz Audi A7 i bardhë, me të cilin është larguar nga vendngjarja.
Forcat e policisë kanë ngritur postblloqe dhe kanë nisur kontrolle intensive në akset kryesore Durrës–Tiranë dhe në rrugët lidhëse me qytete të tjera, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Altin Ndoci akuzohet nga SPAK për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ai është pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Gjithashtu, Ndoci është arrestuar në vitin 2020 për disa vrasje të tjera të ndodhura në Durrës.
