Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka reaguar lidhur me publikimin e një mesazhi që i atribuohet atij, ku pretendohet se përdor një gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Izet Mexhiti, ai u pyet drejtpërdrejt për këtë çështje, por shmangu një përgjigje të prerë mbi autenticitetin e mesazhit.
“Keni mbetur te java e kaluar. Gjërat kanë evoluar dhe unë kam bërë të gjitha sqarimet e mia për çdo pretendim”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se situata ka krijuar një “tymnajë” të panevojshme në publik, por sipas tij ajo tashmë është tejkaluar dhe nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes palëve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe komunikimit të hapur, duke u shprehur se është i gatshëm për takime dhe diskutime në çdo kohë, pavarësisht dallimeve të mundshme.
Në përfundim, Hoxha nënvizoi se nuk ka vend për interpretime të mëtejshme mbi këtë çështje dhe se bashkëpunimi rajonal mbetet prioritet, duke lënë të kuptohet se polemikat e fundit nuk do të ndikojnë në objektivat e përbashkëta politike dhe diplomatike.
