Pas vdekjes së Ali Khameneit, Irani drejt zgjedhjes së Liderit të ri Suprem brenda 24 orëve

Data

Asambleja e Ekspertëve në Iran pritet të mblidhet brenda 24 orëve për të zgjedhur Liderin e ri Suprem të vendit pas vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit.

Lajmi është bërë i ditur nga një anëtar i këtij organi klerikal, Ajatollah Ahmad Mozafari, i cili deklaroi për mediat iraniane se përfaqësuesit janë në pritje të diskutimeve për përzgjedhjen e pasardhësit të ri.

Sipas tij, Asambleja e Ekspertëve shpreson që procesi të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.

“Përfaqësuesit e popullit në Asamblenë e Ekspertëve po presin me padurim diskutimet mbi zgjedhjen e një udhëheqësi të ri dhe pasardhësi të imamit. Shpresojmë që kjo të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme”, deklaroi Mozafari.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave të shmangin spekulimet përpara zhvillimit të mbledhjes dhe votimit zyrtar.

Sipas Kushtetutës së Iranit, Asambleja e Ekspertëve është institucioni që ka përgjegjësinë për emërimin e Liderit Suprem kur posti mbetet vakant. Ky pozicion konsiderohet më i fuqishmi në Republikën Islamike, pasi udhëheqësi suprem ka autoritetin përfundimtar mbi shtetin, forcat e armatosura dhe politikën e jashtme e të brendshme.

Ndër emrat më të përfolur për këtë post është Mojtaba Khamenei, djali i liderit të ndjerë.

Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, konsiderohet pjesë e krahut ultrakonservator dhe ka lidhje të forta me Gardën Revolucionare Islamike, një nga institucionet më të fuqishme në vend. Edhe pse nuk ka mbajtur poste zyrtare qeveritare, ai konsiderohet një figurë me ndikim të madh në strukturat politike dhe fetare të Iranit.

Analistët vlerësojnë se zgjedhja e tij do të ishte një vendim i diskutueshëm, pasi mund të interpretohet si një transferim pushteti nga babai te djali, në një sistem politik që u krijua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Autoritetet iraniane nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar për pasardhësin e Khameneit, ndërsa situata e sigurisë dhe tensionet rajonale pritet të ndikojnë edhe në mënyrën se si do të shpallet vendimi përfundimtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related