Debat për ligjet e integrimit, PD kundër propozimit të PS

Data

Propozimi i Partisë Socialiste për të ndryshuar mënyrën e miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin europian ka hapur një debat të ri politik në vend.

Në një mbledhje të grupit parlamentar të PS më 16 janar, kryeministri Edi Rama deklaroi se ligjet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian nuk duhet të jenë objekt debatesh të gjata në parlament.

“Në momentin kur vjen në parlament, duhet miratuar, jo diskutuar”, u shpreh Rama në atë mbledhje.

Rreth dy muaj më vonë, socialistët e kanë kthyer këtë deklaratë në një propozim konkret, duke kërkuar që ligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me normat e Bashkimit Europian të miratohen pa diskutime të zgjatura parlamentare.

Kjo nismë ka ngjallur reagime kritike nga ekspertë dhe opozita. Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike paralajmëroi se një praktikë e tillë mund të dëmtojë cilësinë e procesit ligjvënës dhe të vetë integrimit.

Sipas tij, në vendet e Bashkimit Europian ligjet kalojnë përmes një procesi të gjatë konsultimi publik, me ekspertë, grupe interesi dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare përpara se të miratohen në parlament.

Ai theksoi se nëse këto faza anashkalohen, parlamenti rrezikon të kthehet në një institucion formal që thjesht miraton aktet e qeverisë.

“Nëse integrimi bëhet vetëm në letra, pasojat do të jenë afatgjata për vendin. Cilësia e ligjeve do të jetë më e dobët, besimi ndaj tyre më i ulët dhe procesi integrues nuk do të ketë impakt real për shoqërinë”, u shpreh Krasniqi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi propozimin e socialistëve, duke e cilësuar si një ndryshim të njëanshëm të rregullores së Kuvendit.

Ai rikujtoi se në vitin 2012 Bashkimi Europian kishte vendosur si kusht që ndryshimet në rregulloren e parlamentit të bëheshin vetëm me konsensus politik për t’i hapur rrugë Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat.

Sipas Bardhit, sot kjo rregull po shpërfillet nga mazhoranca, duke sjellë një tjetër përplasje politike në parlament.

Procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian konsiderohet një nga fazat më të vështira të negociatave për anëtarësim, pasi kërkon ndërhyrje në një pjesë të madhe të legjislacionit vendas.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related