Sheshi i tejmbushur në ditën e nëntë të protestës, qytetarët ushtojnë para Kryeministrisë: “Mos u përçani, poshtë patronazhistët”

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe projektit në Zvërnec ka hyrë në ditën e saj të nëntë, duke regjistruar pjesëmarrjen më të madhe që nga nisja e saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Atmosfera në qendër të Tiranës u karakterizua nga slogane të shumta, mes tyre “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Mos u përçani, poshtë patronazhistët”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e figurave politike që kanë dominuar jetën publike shqiptare prej vitesh.

Gjatë tubimit u dëgjuan gjithashtu thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Poshtë kasta politike”, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj mënyrës së qeverisjes, transparencës në vendimmarrje dhe funksionimit të institucioneve.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të mbrojnë projektin dhe të kundërshtojnë akuzat e ngritura nga protestuesit. Në deklaratat e fundit, kreu i qeverisë ka argumentuar se investimi është në interes të zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit, ndërsa ka kritikuar ato që i cilëson si deformime dhe spekulime rreth projektit.

Protesta vijon në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje dhe mobilizim qytetar edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related