Propozimi i Partisë Socialiste për mënyrën e miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin europian ka hapur një debat të ri politik mes mazhorancës dhe opozitës.
Në një mbledhje të grupit parlamentar të PS-së më 16 janar, kryeministri Edi Rama deklaroi se ligjet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian nuk duhet të jenë objekt debatesh të gjata në parlament.
“Në momentin kur vjen në parlament, duhet miratuar, jo diskutuar”, është shprehur Rama.
Rreth dy muaj më pas, socialistët e kanë kthyer këtë deklaratë në një propozim ligjor, duke kërkuar që ligjet që synojnë përafrimin me normat e BE-së të miratohen me procedura të përshpejtuara dhe pa diskutime të zgjatura parlamentare.
Kjo nismë ka ngjallur kritika nga ekspertë dhe opozita. Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike paralajmëroi se një praktikë e tillë mund të dëmtojë cilësinë e procesit ligjvënës.
Sipas tij, në vendet e Bashkimit Europian miratimi i ligjeve kërkon një proces të gjerë konsultimesh me publikun, ekspertët, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare përpara se projektligjet të shkojnë në parlament.
Ai theksoi se nëse këto faza anashkalohen, parlamenti rrezikon të kthehet thjesht në një institucion formal që miraton automatikisht aktet e qeverisë.
“Nëse integrimi bëhet vetëm në letra, pasojat do të jenë afatgjata për vendin. Cilësia e ligjeve do të jetë më e dobët, besimi ndaj tyre më i ulët dhe vetë procesi integrues nuk do të ketë impakt real për shoqërinë”, u shpreh Krasniqi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi ashpër nismën e socialistëve, duke e cilësuar atë si një ndryshim të njëanshëm të rregullores së Kuvendit.
Ai rikujtoi se në vitin 2012 Bashkimi Europian kishte vendosur si kusht që ndryshimet në rregulloren e parlamentit të bëheshin vetëm me konsensus politik, në mënyrë që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat.
Sipas Bardhit, sot kjo rregull është shpërfillur nga mazhoranca, duke krijuar një tjetër përplasje politike në parlament.
Procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian konsiderohet një nga fazat më komplekse të negociatave për anëtarësim, pasi kërkon ndryshime në një pjesë të madhe të legjislacionit vendas.
