Nga Anxhela Kola
Shpesh nëpër debate njerëzish të thjeshtë nëpër familje, lokale, rrjete sociale debatohet për gjendjen në të cilën është katandisur Shqipëria këto vitet e fundit, me fare pak suksese të përjetueshme dhe me shumë kulme për të këqija…
Kur vjen fjala te rrugët dhe faktorët që do të ndihmonin për ta ndalur këtë gremisje e për të filluar daljen nga fundi i humnerës, kuptohet apo shprehet tendenca për t’ia lënë rolin parësor intelektualëve dhe liderëve të opozitës, kur dihet se shumica e popullit është viktima e parë apo më e madhe. Pa miratim paraprak”, po bëhem zëdhënës i kontingjentit të intelektualëve të angazhuar në politikë, në analiza dhe debate politike, duke dhënë përgjigje subjektive e të debatueshme.
Çfarë mund të bëjnë intelektualët e paktë idealistë, kurajozë dhe sakrifikues, kur në këtë vend nuk ka popull, shtet ligjor funksional në standardet e perëndimit, Kushtetutë, pozitë dhe opozitë, demokraci të vërtetë! Kur mbretërojnë partiakët fanatikë dhe militantë të verbër, oligarkët diplomablerës; trafikantët, drogaxhinjtë, burgaxhinjtë, spiunët e vjetër enveristë dhe patronazhistët-edramistë; qytetarët që shesin veten dhe votat për një vend pune, apo post për veten, djalin dhe nusen e djalit, për vajzën dhe dhëndrin për një copë pronë të shtetit a tjetërkujt, për një dorë milionash të pistë në lekë apo euro.
E keqja më e madhe është se Edi Rama me taborët e tij ia ka arritur të paralizojë reagimin masiv popullor si dhe të opozitës, duke e copëtuar dhe anemizuar me diversion shumëformësh nga brenda gjirit të saj dhe nga jashtë.
Në krahasim me mbi 10 vjet më parë, në fundvitin 2023 janë 2-3 herë më të lartë edhe çmimet në të gjithë artikujt ushqimorë të konsumit jetik. Domethënë, mishra, bulmetra, miellra, ëmbëlsira, fruta-perime, zarzavate të njoma e të thata, lëngje frutash, pije alkoolike, artikuj dhe shërbime higjieno-sanitarë, elektronikë, pajisje hidraulike, të mobilimit familjar, veshje! Nuk mund të harrojmë edhe fluturimin stratosferik të çmimeve në shërbimet shëndetësore, farmaceutike, spitalore, laboratorike, dentare…
Të mirëkuptohemi: nuk e kam fjalën thjesht për ndërrim politik PS me PD, Rama me Berishën, Bashën e dikë tjetër. Por, për qeveri pa mbizotërim njëpartiak, sidomos nga klasa politike e konsumuar dhe e diskretituar gjatë këtyre 32 vjetëve; për qeveri me drejtues dhe ministra edhe nga intelektualë elitarë dhe prestigjiozë nga shoqëria civile dhe diaspora, me imunitet të sprovuar apo të sigurt ndaj “virusit të korrupsionit” si dhe me reputacion dhe suport ndërkombëtar.
Qeveritë që bëhen të padurueshme dhe me rrjedhoja të dëmshme për shumicën e popullit, nuk rrëzohen as nga kafenetë dhe as nga sherret e kufizuara apo të izoluara në sallat e parlamenteve! Ato largohen me protesta popullore demokratike dhe me shumicën e votave, me pjesëmarrje në votime në rreth 60-70% e me vota të hedhura nëpër kuti, me bindje, liri, ndershmëri të plotë e të pa kontestuar si dhe të numëruara në fund me transparencë dhe korrektesë maksimale.
Vetëm kur shumica e qytetarëve me të drejtë vote të kërkojnë dhe imponojnë zbatimin e plotë të standardeve evro-perëndimorë të lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, zgjedhjeve me të vërtetë të lira e të ndershme, mund të shpresohet se mund të bashkohen e të bëhen popull! Fjala është për një popull mbartës dhe sjellës rotacioni politik dhe qeverisjeje të aftë, të ndershme, njerëzore, kombëtare, të përkushtuar e të dobishme për shumicën e popullit për Shqipërinë dhe kombin, për integrimin e merituar dhe jo të dhuruar për mëshirë në BE!

