200 faqe raporte për të marrë vizë për SHBA, ish-zëdhënësja e PD dhe Evi Kokalari tregojnë si qëndron e vërteta…
Lajmi i djeshëm se Sali Berishës i është hapur rruga për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara ka sjellë reagime të forta në publik. Ish-zëdhënësja e Partisë Demokratike, Desada Metaj dhe aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari kanë reaguar në rrjetet sociale, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për heqje të statusit “non grata”, por për një procedurë që lidhet me arsye shëndetësore. Në reagimet e tyre, Metaj dhe Kokalari kanë ngritur dyshime mbi mënyrën se si po paraqitet publikisht kjo çështje.
Metaj: Berisha ka dërguar një dosje me 200 faqe
Ish-zëdhënësja e PD-së, Desada Metaj, pretendon se Berisha ka paraqitur një dosje voluminoze për të siguruar hyrjen në SHBA. Sipas saj, dokumentacioni i paraqitur lidhet me një kërkesë për arsye shëndetësore dhe jo me heqjen e statusit “non grata”. “Këta që rrinë si të tredhur në protestë tani janë hedhur në sulm ndaj atyre që u thonë se me ose pa non grata Sali Berisha nuk është alternativë…Kam një lajm dhe më të keq. I uroj shëndet doktorit se paska çuar një dosje me 200 faqe si i sëmurë për të marrë vizë amerikane. Jetë të gjatë Sali Berisha se sa të kesh pas vete trushkulurit dhe oturakmbajtësit ai bulevard nuk të pranon. Ti thjesht i tërheq zvarrë për hallet e tua”, shkruan ish-zëdhënësja e PD Desada Metaj.
Kokalari: Mbetesh “non-grata”
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Evi Kokalari, e cila ka kundërshtuar pretendimet se Berishës i është hequr statusi “non-grata”. “Sali Berisha mos mashtro. Ti mbetesh non grata. Këtë punën e vizës për emergjencë shëndetësore, do të marrim më shumë informacion për të parë cila është diagnoza jote. Ndryshe, nëse vjen në SHBA për vizitë mjekësore, duhet të kesh si shoqërues Lirinë, Argitën dhe Shkëlzenin… apo atyre nuk ju dhanë vizë se non-grata akoma s’ia u kanë hequr? Mashtrues… mbetesh non-grata dhe e përsëris: kryetar i Partisë Demokratike NUK je.
Ama dëshpërimi yt dhe i “idiotëve të dobishëm” që ngazëllehen me idiotësitë e tua është përtej tragjikomedisë”, shkruan Kokalari. Përmes këtyre reagimeve, si Desada Metaj ashtu edhe Evi Kokalari pretendojnë se zhvillimet e fundit nuk përbëjnë heqje të statusit “non grata” të Sali Berishës, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një çështje që lidhet me arsye shëndetësore dhe jo me një ndryshim të vendimit të autoriteteve amerikane.
Reagimi i koordinatorit për Sigurinë në PD
Edhe Piro Ahmetaj, koordinator për Sigurinë Kombëtare dhe çështjet e NATO-s në PD, ka rrëzuar pretendimet se SHBA i ka hequr “non grata”-n Berishës. Në një koment në rrjetet sociale, ai thotë se maksimumi Berishës mund t’i japin ndonjë vizë 10 ditore, sa të shkojë të bëjë ndonjë foto në SHBA. “Një leximin i ftohtë rreth të kësaj dalldie të radhës: “nuk është hequr dhe nuk hiqet kurrësesi as me kakofoni folklorike as me lobingje te majme Non Grata për korrupsion familjarisht, minim të demokracisë si dhe të reformës në drejtësi” ! Gjithsesi bazuar në referencën e amendamentit përkatës, mund të jepet një vizë 10 ditore për foto në DC si dhe inspiruar ushtrinë/veglat e muleshëve, gazeshave, rabsod Gjekmarkaj, etj sylesh që kanë pushtuar/privatizuar dhe përdhunuar të djathtën.
Kaq është e gjitha, dhe do e këshilloja veçanërisht të rinjtë mos të përfshiheni në këtë supermashtrim turpërues të radhës”, shkruan ai në koment. Kujtojmë se Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021. Në atë kohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, argumentoi vendimin me pretendime për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Në deklaratën e publikuar atëherë, Blinken akuzonte Berishën për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike për përfitime personale dhe familjare. Po ashtu, sanksioni u shtri edhe ndaj bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit Shkëlzen Berisha dhe vajzës Argita Berisha Malltezi, duke u ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Berisha i ka kundërshtuar vazhdimisht këto akuza, duke i cilësuar si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
