Debati për Berishën: Heqje e sanksionit apo vetëm një përjashtim (waiver) për hyrje në SHBA?

Data

DASH i jep vizë Sali Berishës, por nuk i heq sanksionet, asnjë lehtësi për familjarët e tij, faqja zyrtare mban…
Partia Demokratike e Shqipërisë tha dje se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka hequr sanksionimin që i ndalonte hyrjen në territorin amerikan kreut të kësaj partie, Sali Berisha. Sipas mediave pranë PD, ky vendim i është komunikuar Berishës në një bisedë telefonike 15 minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHB-ve Nany Van Horn. Fillimisht Sali Berisha u pyet nga gazetarët sapo mbërriti në oborrin e Kuvendit, mbi këtë lajm, por teksa parakaloi i buzëqeshur pranë tyre, nuk bëri asnjë koment.

Kur hyri në sallën e Kuvendit, të tijët e pritën me duartrokitje. Besart Xhaferri, i cili ndodhej në foltore tha “sot kemi një breaking news”, pa shtuar asgjë më tepër. Berisha zgjodhi foltoren e Kuvendit për të thënë fjalën: Unë erdha, u krye! Por ishte zyra e shtypit të PD-së, e cila i dha formë kur dërgoi një njoftim, me specifikimin se fjala e Berishës, u krye, kishte të bënte me heqjen e non gratës. Por në gjithë këtë tymnajë reagimesh, mësohet se bëhet fjalë vetëm për marrjen e një vize të Berishës dhe jo heqje sanksionesh.

Këtë la të nënkuptuar dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili njoftoi se ka bërë përjashtime për disa nga përcaktimet e nenit 7031 ku është bazuar non grata e pesë viteve më parë e Berishës. “Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (waivers) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi një zëdhënës i DASH për gazetën “SOT” dhe Robert Papës në “Fokus Tv”. Nga ana tjetër, dokumentacioni publik i Departamentit Amerikan të Shtetit vazhdon të tregojë se Berisha dhe familjarët e tij figurojnë në listën e personave të sanksionuar për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor.

Por çfarë është një “waiver”?

Në praktikën amerikane, waiver është një përjashtim i posaçëm që i jepet një personi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse normalisht hyrja do t’i ishte e ndaluar. Në rastet e personave të shpallur “non grata” ose të sanksionuar sipas nenit 7031(c), kjo mund të nënkuptojë dhënien e një vize apo lejimin e hyrjes për një arsye të caktuar. E rëndësishme është se waiver nuk do të thotë domosdoshmërisht heqje e sanksionit apo fshirje e statusit “non grata”. Ai është një përjashtim për momentin, në këtë rast i lidhur me dhënien e vizës ose lejimin e hyrjes në SHBA për një rast të caktuar.

Seksioni 7031(c) i ligjit amerikan kërkon nga Sekretari i Shtetit të ndalojë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj për të cilët ka informacion të besueshëm se kanë qenë të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të rëndësishëm ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Mbi këtë bazë, në vitin 2021, ish-kryeministri Sali Berisha u shpall i papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vetë ky mekanizëm parashikon mundësinë e përjashtimeve. Raste të tilla njihen edhe në praktikën diplomatike amerikane. Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar që lejohen të udhëtojnë në Nju Jork për takime të Kombeve të Bashkuara, për shkak të detyrimeve që SHBA ka nga Marrëveshja e Selisë së OKB-së.

Kjo marrëveshje u jep diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e OKB-së, edhe kur ndaj tyre ekzistojnë kufizime. Po ashtu, Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur ka vlerësuar se kjo i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata Human Rights First, gjatë viteve 2020–2024 Departamenti i Shtetit përdori dhjetëra herë këtë mekanizëm, duke lëshuar 61 përjashtime, pothuajse të gjitha lidhur me individë të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, jo korrupsion Shumica e këtyre rasteve mbeten konfidenciale, pasi raportohen Kongresit amerikan në dokumente të klasifikuara. Megjithatë, disa raste janë bërë publike. Një prej tyre lidhet me princin Nasser të Bahreinit. Organizatat e të drejtave të njeriut kishin kërkuar vendosjen e ndalimit të vizës ndaj tij për shkak të akuzave për torturë, por udhëtimi i tij në SHBA në vitin 2024 ngriti dyshime se Departamenti i Shtetit kishte përdorur një përjashtim.

Një tjetër rast lidhet me Arabinë Saudite. Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, SHBA vendosi kufizime ndaj një numri zyrtarësh sauditë, por në raste të caktuara ka përdorur përjashtime kur ka gjykuar se kjo i shërbente interesave strategjike amerikane. Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar të cilëve u lejohet të udhëtojnë në Nju Jork për seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo lidhet me detyrimet që SHBA ka sipas Marrëveshjes së Selisë së OKB-së, e cila u garanton diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e Kombeve të Bashkuara, edhe kur ndaj tyre ka kufizime ose sanksione.

Përjashtime të ngjashme janë përdorur edhe për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur Departamenti i Shtetit ka vlerësuar se lejimi i hyrjes i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ekspertët theksojnë se një waiver nuk përbën heqje të sanksionit dhe as rehabilitim të personit të sanksionuar. Ai është thjesht një përjashtim praktik, i bazuar në konsiderata diplomatike, strategjike ose të sigurisë kombëtare.

Me fjalë të tjera, një person mund të mbetet i sanksionuar sipas nenit 7031(c), por njëkohësisht të përfitojë leje të posaçme për të hyrë në SHBA. Kjo do të thotë se, në rastet e sanksioneve sipas nenit 7031(c), ekziston një dallim i qartë mes heqjes së sanksionit dhe dhënies së një përjashtimi. Heqja e sanksionit do të nënkuptonte shfuqizimin e vendimit që e shpall një person të papranueshëm për hyrje në SHBA. Ndërsa waiver është vetëm një përjashtim nga zbatimi i këtij kufizimi për një rast të caktuar.

Çfarë ndodhi pas vendimit të DASH-it më 2021?

Menjëherë pas vendimit të DASH-it për Berishën, drejtuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, deklaruan se çdo material apo indicie që do të vihej në dispozicion do të hetohej. Në vitin 2023, SPAK kërkoi masë sigurie ndaj Berishës në dosjen e njohur si çështja “Partizani”, ku kishte dyshime se kishte përdorur ndikimin e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në privatizimin dhe zhvillimin e një prone në Tiranë.

Berisha u detyrua fillimisht të paraqitej periodikisht para autoriteteve dhe të mos largohej nga vendi. Në fund të vitit 2023, pasi nuk zbatoi detyrimin e paraqitjes, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak. Në shtator 2024, SPAK-u e mori zyrtarisht të pandehur për korrupsion pasiv dhe dosja kaloi për gjykim. Në nëntor 2024, arresti shtëpiak u hoq, por procesi gjyqësor vazhdoi. Në korrik 2025 nisi gjykimi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të motivuara politikisht. Vendimi i DASH-it pati ndikim edhe në aspektin politik.

Në shtator të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, duke argumentuar se ky ishte një vendim për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA-në. Berisha nisi “Foltoren” – takime me anëtarët dhe simpatizantët demokratë në të gjithë Shqipërinë, duke sfiduar drejtimin e Bashës. Në fund të vitit 2021, përplasja solli ndarjen e PD-së në dy kampe dhe zhvillimin e dy kuvendeve të ndryshme. Gjatë vitit 2022, Basha dha dorëheqjen dhe Berisha u rikthye në krye të Partisë Demokratike, duke fituar zgjedhjet për kryetar. Edhe gjatë kohës kur ishte nën hetim dhe më pas në arrest shtëpie, Berisha vazhdoi të drejtonte PD-në.

Problemet me ndërkombëtarët

Qeverisja e Berishës, sikurse edhe e rivalëve të tij politikë, është përcjellë me tensione të cilat shpeshherë, është vlerësuar se kanë minuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave demokratike, në veçanti rreth sundimit të ligjit. Përgjatë karrierës së tij, Sali Berisha ka pasur përplasje me faktorin ndërkombëtar për ndërhyrje në drejtësi – në vitin 1995 kur shkarkoi gjyqtarin Zef Brozi nga Gjykata e Lartë dhe arrestimin e liderëve të minoritetit grek në Tiranë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related