Shqipëria do të ndikohet sot nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë një ditë kryesisht të kthjellët në gjithë territorin. Sipas njoftimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vranësirat do të jenë të pakta dhe kalimtare, kryesisht në formën e reve të mesme dhe të larta, të cilat nuk do të ndikojnë në përkeqësimin e motit.
Pavarësisht kthjellimeve, temperaturat mbeten të ulëta në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, si pasojë e masave të ftohta të ajrit që vazhdojnë të jenë prezente në rajon.
Era parashikohet të fryjë nga verilindja në veriperëndim me një shpejtësi mesatare deri në 8 metra për sekondë. Ndërkohë, valëzimi në det do të jetë i lehtë, me forcë nga 1 deri në 3 ballë, çka krijon kushte të favorshme për lundrim.
Vijimi i motit të qëndrueshëm pritet të dominojë edhe ditët në vazhdim, megjithatë temperaturat pritet të mbeten në vlera të ulëta tipike të muajit dhjetor.
