Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu sot (14 janar) në një fabrikë në qytetin e Wolverhamptonit, duke mbuluar zonën përreth me re të dendura tymi të zi dhe toksik.
Më shumë se 100 zjarrfikës, të mbështetur nga 21 automjete zjarrfikëse, janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe punonjësve në zonë që të mbyllin dyert dhe dritaret, për shkak të rrezikut nga tymrat e dëmshëm.
Sipas dëshmitarëve, hiri ka rënë mbi makina dhe banesa, ndërsa era e rëndë e tymit është ndjerë në një perimetër të gjerë. Zjarrfikësit paralajmëruan për ndërprerje të konsiderueshme të qarkullimit dhe kufizime të lëvizjes gjatë gjithë ditës, mbrëmjes dhe natës.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ndaluar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Për arsye sigurie, një shkollë fillore pranë fabrikës ka dërguar nxënësit në shtëpi. Fabrika e përfshirë në zjarr ka përmasa rreth 100 metra me 50 metra.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në një punishte riparimi automjetesh dhe më pas është përhapur në ndërtesat përreth. Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende nën hetim.
