Altin Ndoci nuk ishte lënë në harresë nga organizata kriminale Çopja. Kjo del në pah nga dosja hetimore, ku zbardhen komunikime të zhvilluara përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, shumë vite përpara arratisjes së tij nga spitali i Durrësit.
Në dokumentet që disponohen nga hetimet, rezulton se anëtarë të organizatës diskutonin hapur për mënyrat se si Ndoci mund të lirohej me çdo kusht, pasi sipas tyre kishin mbetur pa një “qitës”. Në biseda, ai përmendet me nofkën “kokë çami”, ndërsa flitet jo vetëm për lirimin e tij, por edhe për mbulimin e shpenzimeve familjare dhe pagesat e avokatëve.
SPAK e cilëson këtë sjellje si një metodë tipike mafioze, që synon ruajtjen e besnikërisë dhe heshtjen e anëtarëve të organizatës, duke u dhënë garanci se nuk do të lihen vetëm përballë drejtësisë.
Altin Ndoci, tashmë në arrati, akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Endri Alibej, Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk, si edhe për vrasjen e Kelvi Brahos. Ai përmendet gjithashtu në grabitjen e rreth 5 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit.
Sipas dosjes, Ndoci ka refuzuar një plan për vrasje me pagesë prej 1 milion eurosh ndaj Erjon Alibejt, duke argumentuar se ishte e pamundur për shkak se ndodhej në paraburgim në atë kohë. Ky fakt del si nga rrëfimet e të penduarit Nuredin Dumani, ashtu edhe nga komunikimet në Sky ECC.
Përballja e parë e Altin Ndocit me drejtësinë lidhej me vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës. Hetimi u hap pas dëshmisë së Klevis Allës, por më pas SPAK u tërhoq nga këto akuza, duke hapur një tjetër linjë hetimi mbi bazën e dëshmive të Nuredin Dumanit.
I konsideruar si një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë dhe me një dosje të rëndë kriminale, Ndoci ishte në duart e drejtësisë, por arriti të arratisej, duke u kthyer tashmë në një nga personat më të kërkuar nga SPAK.
