Shtëpia e Bardhë po përgatit një takim të nivelit të lartë me anëtarët e Bordit të Paqes më 19 shkurt, me qëllim avancimin e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza dhe sigurimin e fondeve për rindërtimin e zonës së shkatërruar nga lufta.
Sipas burimeve diplomatike, ky do të jetë takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes, i cili pritet të shërbejë edhe si konferencë donatorësh për mbledhjen e fondeve ndërkombëtare. Një zyrtar amerikan u shpreh se administrata amerikane synon të koordinojë përpjekjet politike dhe financiare për stabilizimin afatgjatë të Gazës.
Planet për këtë takim janë ende në fazë përgatitore dhe mund të pësojnë ndryshime, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.
Bordi i Paqes përbëhet nga 27 anëtarë dhe drejtohet nga presidenti Donald Trump. Në nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha mbështetje planit të Bordit, duke i garantuar legjitimitet ndërkombëtar. Edhe pse dokumenti themeltar i Bordit nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë Gazën, fokusi aktual është vendosur te çmilitarizimi dhe rindërtimi i territorit palestinez pas konfliktit.
