Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar intensifikimin e masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, forcimin e sigurisë publike dhe trajtimin në kohë të shqetësimeve të qytetarëve gjatë sezonit turistik.
Në një takim pune me drejtuesit e drejtorive vendore dhe të departamenteve të Policisë, Hita analizoi situatën e rendit në vend dhe përcaktoi prioritetet për periudhën në vijim.
Ai kërkoi që çdo ngjarje të hetohet me përgjegjësi dhe profesionalizëm, ndërsa strukturat policore të reagojnë menjëherë ndaj denoncimeve dhe kërkesave për ndihmë nga qytetarët dhe turistët.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë rrugore dhe shtimit të pranisë policore në zonat turistike, me synim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e rendit publik.
Hita theksoi gjithashtu nevojën për respektimin e etikës policore, integritetit dhe rritjen e performancës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit u kërkua intensifikimi i operacioneve kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje, lojërave të paligjshme të fatit dhe krimeve mjedisore, si dhe kapja e personave të shpallur në kërkim.
Në kushtet e rrezikut të shtuar nga zjarret, kreu i Policisë urdhëroi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve.
Në përfundim, Hita kërkoi që drejtuesit vendorë dhe shefat e komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë kontrollet në zonat problematike dhe të forcojnë bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
