Britania e Madhe ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, duke i dhënë dritën jeshile Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përdorimin e bazave ushtarake britanike në operacione që lidhen me Ngushticën e Hormuzit.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të qeverisë britanike, ku u ra dakord që SHBA të mund të përdorin këto baza për operacione mbrojtëse, me qëllim neutralizimin e kapaciteteve iraniane që kërcënojnë anijet në këtë korridor strategjik energjetik.
Më herët, Londra kishte kufizuar përdorimin e bazave vetëm për mbrojtjen e qytetarëve dhe interesave britanike nga sulmet me raketa, por ndryshimi i situatës në rajon ka sjellë një qasje më fleksibël.
Sipas Downing Street, Britania nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në sulme, duke theksuar se roli i saj mbetet në mbështetje të operacioneve mbrojtëse dhe stabilitetit të rajonit.
Autoritetet britanike theksuan gjithashtu nevojën për de-eskalim të menjëhershëm të konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa tensionet me Iranin vazhdojnë të rriten.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më kritike për transportin global të naftës dhe gazit, dhe çdo përshkallëzim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
