Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë.
Gjatë komunikimit, Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke dënuar agresionin rus dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike.
Palët theksuan angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për kontributin në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe organizimi i një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar në Tiranë. Kryeqyteti shqiptar pritet të presë në muajin qershor Takimin e Ministrave të Jashtëm Ukrainë–Evropa Juglindore, ku do të marrë pjesë edhe vetë ministri ukrainas.
Ky zhvillim konfirmon rolin në rritje të Shqipërisë në diplomacinë rajonale dhe angazhimin e saj në çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit evropian.
