Kandidati i Sali Berishës Petraq Gjikuria reagoi dje pas humbjes në zgjedhjet e Himarës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjikuria falenderoi votuesit, por nuk la pa hedhur akuza ndaj pushtetit dhe mazhorancës. “Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.” Sipas Gjikurias janë përdorur metoda anti demokratike në mënyrë që të tjetërsohej vota në favor të Vangjel Tavos. Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.” Më tej shton se beteja për Himarën do të vazhdoj.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.” Kujtojmë se Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme lokale në Himarë përballë Petraq Gjikurias. Tavo siguroi 5022 vota, ndaj 3545 vota të Gjikurisë. Avantazhi i Tavos ishte shumë i thellë kësaj here, ndërsa procesi zgjedhor ditën e djeshme shkoi qetë dhe pa incidente si gjatë votimit, ashtu dhe në numërim.
