Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, ka komentuar situatën politike dhe ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale lidhur me pezullimin e ministrave nga detyra.
Në një intervistë televizive, Braho akuzoi kreun e PD, Sali Berisha, se po kërkon destabilizim përmes protestave, duke pretenduar se në Tiranë ekzistojnë qendra për prodhimin e molotovëve. Sipas tij, protestat e paralajmëruara nuk do të sjellin ndryshim, por vetëm tension dhe përplasje.
Ai kritikoi edhe organet e drejtësisë dhe mazhorancën për, siç tha, mungesë veprimi ndër vite ndaj Berishës, duke shtuar se shumë shpejt do të ketë zhvillime të reja në skenën politike.
Sa i përket ndryshimeve ligjore të propozuara nga PS për të ndaluar pezullimin e ministrave nga gjykatat, Braho i cilësoi ato si “lodra ligjore” dhe “fëminore”. Sipas tij, këto ndryshime nuk e pengojnë SPAK të vijojë hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe nuk ndikojnë në ecurinë e çështjes nëse ajo do të shkojë në gjyq.
“Hetimi vazhdon dhe në fund do të vlerësohet nëse është fajtore apo jo. Ky ndryshim nuk e shpëton askënd nga përgjegjësia penale”, u shpreh Braho, duke shtuar se ndërhyrje të tilla nuk e nderojnë mazhorancën.
