Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur si te situata e sigurisë pas paralajmërimit amerikan, ashtu edhe te lëvizjet brenda Partisë Socialiste.
Sa i përket alarmit për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin, Baçi theksoi se nuk ka vend për panik, por shtoi se situata duhet trajtuar me kujdes dhe seriozitet.
“Nuk duhet të përhapim panik, por as të neglizhojmë masat. Nga sa duket, institucionet kanë marrë hapat e nevojshëm,” u shpreh ai.
Në fokus të analizës së tij ishte edhe kandidatura e Erion Braçe për Bashkinë e Tiranës, të cilën Baçi e cilësoi si një zhvillim që ka ndryshuar ekuilibrat brenda socialistëve.
Sipas tij, Braçe është një figurë me peshë në PS, që ka treguar vazhdimisht qëndrime të pavarura dhe kritike, duke mos u rreshtuar gjithmonë me linjën zyrtare.
Baçi vlerëson se kjo lëvizje e nxjerr Edi Rama nga zona e komfortit politik, duke e detyruar të përballet me një sfidë të brendshme më të hapur se më parë.
Megjithatë, ai nuk sheh shenja për krijimin e një fraksioni brenda PS, por më tepër një përpjekje të Braçes për të rikonfirmuar veten si një figurë kyçe politike dhe për të hyrë në një garë të re.
“Braçe nuk është kundër Ramës, por një zë me identitet dhe qëndrime të tijat. Ai nuk është një emër me bazë të dobët dhe kjo e bën situatën më interesante,” theksoi analisti.
Në përfundim, Baçi nënvizoi se dinamika e re brenda socialistëve mund të sjellë zhvillime të paparashikueshme në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo sfidë do të përkthehet në mbështetje reale politike apo do të mbetet një sinjal i izoluar brenda partisë.
