Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh se Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të hapin shtigje të reja bashkëpunimi përballë sfidave të mëdha globale, gjatë një vizite zyrtare tre-ditore në Britani – e para e këtij niveli nga një udhëheqës evropian që nga Brexit.
“Është një moment i rëndësishëm për vendet tona, është gjithashtu një moment i rëndësishëm për Evropën tonë”, deklaroi Macron në një mesazh të publikuar në platformën X.
Presidenti francez theksoi se palët synojnë të punojnë së bashku në një sërë fushash kyçe si: siguria, mbrojtja, energjia bërthamore, hapësira, inovacioni, inteligjenca artificiale, migracioni dhe kultura. Ai shtoi se qëllimi është ndërtimi i një bashkëpunimi “të prekshëm, efektiv dhe të përhershëm”.
