E përditshmja austriake “Der Standard” i ka kushtuar një artikull protestave që vijojnë prej 44 ditësh në Shqipëri, duke u ndalur te kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe te pakënaqësia në rritje e të rinjve ndaj klasës politike.
Në shkrimin e gazetares Adelheid Wölfl, situata politike në vend lidhet me shqetësimet për përdorimin e administratës publike, kontrollin politik mbi institucionet dhe mungesën e transparencës. Artikulli përmban gjithashtu kritika ndaj mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Rama, të cilin e përshkruan si gjithnjë e më autoritar.
Një pjesë e analizës përqendrohet te sistemi i patronazhistëve dhe publikimi në vitin 2021 i të dhënave personale të qindra mijëra qytetarëve. Sipas “Der Standard”, ky rast ngriti shqetësime serioze për privatësinë, përdorimin e të dhënave dhe ndikimin politik mbi votuesit.
Në artikull citohet Jonila Godole, përfaqësuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, e cila argumenton se mungesa e njohurive për diktaturën komuniste e bën më të vështirë kuptimin e mekanizmave aktualë të pushtetit.
Sipas saj, periudha 45-vjeçare e diktaturës trajtohet në mënyrë të kufizuar në tekstet shkollore, ndërsa kujtesa për viktimat dhe ish-të burgosurit politikë mbetet ende e pamjaftueshme.
Shkrimi ndalet edhe te roli i SPAK-ut, i cili përshkruhet si një nga shpresat kryesore të protestuesve për hetimin e rasteve të korrupsionit dhe vendosjen para përgjegjësisë të zyrtarëve të dyshuar për shkelje të ligjit.
“Der Standard” vlerëson se pakënaqësia e të rinjve lidhet me çmimet e larta të banesave, mungesën e mundësive për arsimim dhe punësim, si dhe me perceptimin se qeveria është shkëputur nga problemet e përditshme të qytetarëve.
“Të rinjtë këtu nuk kanë më asgjë për të humbur”, citohet të ketë thënë Godole. Sipas saj, brezi i ri, ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit që jetuan gjatë komunizmit, nuk mund të kontrollohet më përmes frikës dhe po rebelohet kundër arrogancës së klasës politike.
Artikulli trajton gjithashtu mungesën fillestare të raportimit nga disa media tradicionale për protestat, frikën e punonjësve të administratës për të marrë pjesë në tubime dhe presionin që, sipas kritikëve, ndiejnë bizneset nga institucionet shtetërore.
Në përfundim, media austriake argumenton se protestat kanë dëmtuar imazhin reformator që Rama ka ndërtuar jashtë vendit, ndërsa kërkesat për transparencë, llogaridhënie dhe respektim të ligjit po fitojnë mbështetje veçanërisht mes të rinjve.
